Rahoveci 029 të shtunën mbrëma e ka mposhtur Pejën me rezultatin 106:95, në palestrën “Mizahir Isma”, në kuadër të javës së pestë.
Skuadra vendase e ka nisur më mirë ndeshjen, duke i fituar dy çerekët e parë me rezultatet 29:21 dhe 29:25. Peja ka reaguar në çerekun e tretë, të cilin e ka fituar 27:24, por Rahoveci 029 e ka ruajtur epërsinë dhe e ka fituar edhe dhjetëminutëshin e fundit me shifrat 24:22.

Më efikasi te Rahoveci 029 ishte Mika Adams me 31 pikë, gjashtë kërcime dhe dhjetë asistime. Zion Fruster kontribuoi me 28 pikë, dy kërcime dhe pesë asistime.
Te Peja u dallua Robert Smith me 28 pikë, katër kërcime dhe gjashtë asistime. Për skuadrën pejane kjo ishte humbja e tretë radhazi.
Golden Eagle Ylli e ka vazhduar serinë pozitive, duke e mposhtur Vëllaznimin me rezultatin 100:86, në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.
Vendasit e kanë fituar çerekun e parë me shifrat 25:23, por Ylli ka reaguar në dhjetëminutëshin e dytë, të cilin e ka fituar 29:22. Skuadra nga Theranda ka shkuar në pushim me epërsi prej pesë pikësh, 52:47.
Çereku i tretë është mbyllur baras, 20:20, ndërsa Ylli e ka vulosur fitoren në dhjetëminutëshin e fundit, duke fituar 28:19.
Davontrey Thomas ishte më efikasi te Ylli me 26 pikë dhe gjashtë kërcime, ndërsa Khalil Shabazz shtoi 21 pikë, një kërcim dhe shtatë asistime.
Te Vëllaznimi u dallua Kentrell Pullian me 28 pikë, shtatë kërcime dhe shtatë asistime.
Për skuadrën gjakovare kjo ishte humbja e katërt e sezonit, ndërsa deri tani ka regjistruar vetëm një fitore.
Burimi: RTKLive




