Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka kujtuar takimin me Floridën gjatë vizitës zyrtare në New York, vitin e kaluar, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Florida Hoxha ishte një nga moderatoret e bashkëbisedimit të organizuar nga Rrjeti i Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë (APEN) me pjesëtarë të mërgatës shqiptare.
Sipas Kurtit, Florida humbi jetën në fund të muajit të kaluar, së bashku me bashkëshortin Ian Kirkpatrick, vëllain Florin Hoxha dhe bashkëshorten e tij, Eris Cani, e cila ishte në muajin e pestë të shtatzënisë.

Kurti ka vlerësuar kontributin e Floridës në komunitetin shqiptaro-amerikan, duke theksuar përkushtimin e saj për forcimin e lidhjeve ndërmjet mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe vendeve të origjinës.
“Florida, Ian, Florini dhe Erisi nuk janë më në mesin tonë. Kjo është një humbje e madhe për të gjithë ata që janë prekur nga këta katër profesionistë të rinj, të cilët kanë kontribuar kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër, dhe ishin të vendosur për të kontribuar edhe më shumë në të ardhmen”, ka shkruar Kurti.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve dhe miqve të viktimave.
“Ngushëllime të përzemërta familjeve dhe miqve. Qoftë e paharruar jeta e tyre shembullore”, ka përfunduar Kurti.
Burimi: RTKLive




