Tre minatorë të Trepçës, të cilët ishin në mesin e 63 minatorëve që mbetën të ngujuar në thellësi të minierës pas një zjarri në një tunel, kanë dalë nga miniera dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Komandanti i Zjarrfikësve të Mitrovicës, Bekim Ibishi, ka thënë në një intervistë për Klan Kosovën se zjarri kishte shpërthyer në tunelin e parë, ku ndodhet trafoja kryesore e Trepçës.
“E kemi marrë lajmin për një zjarr në tunel të parë, ku është trafo kryesore e Trepçës, ka marrë flakë dhe pastaj ne kemi intervenuar dhe e kemi lokalizuar zjarrin dhe e kemi shuar tërësisht”, u shpreh ai.
Ai ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e minatorëve është e mirë dhe se nuk ka vend për shqetësim.
“Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe nuk ka vend për shqetësim. Varësisht prej forcës së personit, shkallët janë të drejta përpjetë, por po shpresojmë që për 1 orë deri në 1 orë e gjysmë, po shpresojmë që do të dalin të gjithë”, deklaroi Ibishi./Klankosova.tv




