Friburgu është bërë kantoni i parë në Zvicër që do të ofrojë ndihmë të pakthyeshme financiare për fermerët që kanë pësuar dëme të konsiderueshme për shkak të thatësirës dhe mungesës së reshjeve.

Mbështetja nuk do t’u jepet të gjitha fermave, por vetëm atyre që mund të dëshmojnë se janë prekur ndjeshëm nga kushtet e thata.
Thatësira e zgjatur ka shkaktuar rënie të rendimenteve në disa kultura bujqësore, veçanërisht te patatet dhe panxhari i sheqerit. Në të njëjtën kohë, mungesa e reshjeve ka reduktuar edhe sasinë e ushqimit të disponueshëm për bagëtinë.
Sipas shoqatës swisspatat, korrja e patates në Zvicër gjatë vitit 2026 pritet të jetë më e ulëta e regjistruar ndonjëherë, me humbje të parashikuara prej 10 deri në 15 për qind.
Synohet mbështetje e shpejtë për fermerët
Autoritetet e Friburgut argumentojnë se ndihma financiare është e nevojshme për të ruajtur prodhimin vendor dhe për të shmangur një rritje të mëtejshme të importeve.
Procedura për aplikimin dhe përfitimin e mbështetjes synohet të jetë sa më e shpejtë dhe e thjeshtë, ndërsa ndihma do të fokusohet te fermat që mund të dëshmojnë dëmet e shkaktuara nga thatësira, transmeton Telegrafi.
Edhe kantone të tjera po marrin masa
Friburgu nuk është kantoni i vetëm që po ndërmerr masa për të ndihmuar fermerët.Në Bernë dhe Lucernë është vendosur parapagimi i një pjese të pagesave direkte për fermerët.
Ndërkohë, në Solothurn dhe Bernë, fermerët që përballen me vështirësi financiare mund të përfitojnë kredi pa interes.
Në kantonin Vaud po shqyrtohet gjithashtu një paketë ndihme prej rreth 30 milionë frangash, e cila do t’u dedikohej blegtorëve të prekur nga thatësira.
Rriten kostot e prodhimit
Thatësira e zgjatur po krijon presion gjithnjë e më të madh mbi bujqësinë zvicerane.
Mungesa e ujit po ndikon drejtpërdrejt në rendimentet e kulturave, ndërsa fermerët po përballen me kosto më të larta të prodhimit dhe me pasiguri më të madhe për sezonet e ardhshme.
Autoritetet dhe sektori bujqësor shqetësohen se nëse kushtet e thata vazhdojnë, prodhimi vendor mund të dobësohet më tej dhe varësia nga importet të rritet./Telegrafi/




