Një operacion i njësisë për hetimin e trafikimit me narkotikë është zhvilluar më 14 tetor në Gjakovë, ku gjatë bastisjes së dy lokacioneve janë sekuestruar armë, qindra fishekë dhe substancë e dyshuar narkotike.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se DHTN-Gjakovë ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjakovë për bastisjen e shtëpive dhe objekteve përcjellëse të Muharrem Rexhepit.
Gjatë bastisjes së parë, në rrugën “Isuf Sylaj”, janë sekuestruar një pushkë gjysmëautomatike me karikator të kalibrit 7.62 mm, një revole “Special”, një pushkë gjuetie dhe 252 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Bastisja ka vazhduar edhe në një pronë tjetër në rrugën “Gani Sadrija”, në fshatin Babaj i Bokës, ku janë sekuestruar një revole Bohem 268 pa numër serik, disa karikatorë, si dhe 37 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Në të njëjtin lokacion është gjetur edhe një pjatë, për të cilën dyshohet se mund të ketë mbetje të substancave narkotike.
Në oborr është gjetur edhe një veturë VW Golf 4, ngjyrë hiri, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit të veturës është gjetur edhe një cigare e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë rreth 0.51 gramë.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.
I dyshuari Muharrem Rexhepi nuk ka qenë prezent gjatë bastisjeve, ndërsa sipas familjarëve që kanë qenë të pranishëm si dëshmitarë, ai ndodhet jashtë Kosovës.
Rasti është iniciuar për posedim të paautorizuar të substancave narkotike dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ekskluzive | Bastisje në dy lokacione në Gjakovë – sekuestrohen armë, qindra fishekë e marihuanë, i dyshuari jashtë Kosovës appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




