Kolonët izraelitë kanë sulmuar të premten disa fshatra palestineze në Bregun Perëndimor, duke u vënë flakën automjeteve dhe ullishteve, si dhe duke rrahur banorë e një gazetare të huaj. Sulmet janë pjesë e valës së fundit të dhunës që synon të pengojë korrjen vjetore të ullinjve, e cila po zhvillohet gjatë këtij muaji.

Zyrtarët lokalë dhe Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze kanë raportuar sulme në të paktën tetë fshatra në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, ku ndodhet pjesa më e madhe e ullishteve. Për dhjetëra mijëra familje palestineze, të ardhurat nga kultivimi dhe korrja e ullinjve janë një burim i rëndësishëm jetese.
Dhuna e kolonëve kundër palestinezëve është rritur ndjeshëm gjatë këtij viti, veçanërisht ditëve të fundit, në prag të zgjedhjeve në Izrael, të planifikuara për 27 tetor.
Në fshatin Abu Falah, kolonët sulmuan të premten banorët, ndërsa ushtria izraelite u pa duke bastisur zonën dhe duke hedhur gaz lotsjellës.
Të paktën gjashtë palestinezë u plagosën gjatë sulmeve të së premtes. Në mesin e të lënduarve ishte edhe Heidi Levine, fotografe e gazetës “The Washington Post”, e cila u shtrua në spital pasi u rrah nga kolonët në Abu Falah.
Levine është gazetarja e dytë që punon për një media ndërkombëtare dhe që sulmohet nga kolonët gjatë sezonit të sivjetmë të korrjes së ullinjve.
Ndërkohë, ushtria izraelite deklaroi se forcat e sigurisë ishin dërguar në një zonë pranë Abu Falahut, pas raportimeve për një “konfrontim të dhunshëm”.
Në një deklaratë tjetër, ushtria bëri të ditur se gazetarët e huaj ndodheshin në vendin e ngjarjes dhe se një gazetare “ishte plagosur gjatë konfrontimit”.
Ushtria izraelite shtoi se rrethanat e incidentit do të shqyrtohen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Kolonët izraelitë sulmojnë fshatrat në gjithë Bregun Perëndimor, plagosen disa persona dhe një gazetare e huaj appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




