Asllan Bajrami, gazetar për shumë dekada, ka komentuar kanosjet e kërcënimet ndaj gazetarëve e punonjësve tjerë në media në Kosovë kohëve të fundit.

Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai tha se kjo që po ndodhë së fundmi flet për një brishtësi të shoqërisë.
“Kjo çfarë ndodh në mjedisin tonë shoqëror, flet për një brishtësi të shoqërisë, përkatësisht të demokracisë. Në një shoqëri moderne, përkatësisht shoqëri evropiane ku ne mëtojmë të shkojmë, gazetari ka një përgjegjësi të lartë shoqërore, kërkesa të mëdha intelektuale dhe një ndërlikueshmëri të lartë. Nëse u atribuohemi këtyre tipareve që do të ketë një gazetar dhe një media, atëherë ata përbëjnë një vlerë. Dhe nëse kjo vlerë cenohet, shoqëria tregon dobësi të jashtëzakonshme për sa i përket gazetarit dhe medias që duhet gjithmonë dhe kurdoherë të cilësohen si barometër të shoqërisë.
“Nëse ne gazetarin dhe median nuk i cilësojmë si të tillë, atëherë kemi probleme serioze sa i përket demokracisë dhe shoqërisë”, deklaroi Bajrami.
Ai tha se bashkëndjen me çdo kërcënim, cenim e goditje që u bëhet gazetarëve dhe tha se i dënon përpjekjet e tilla “që dëmtojnë shoqërinë, tregon ligësinë e njerëzve, paaftësinë e tyre për t’u përballur me faktet”.
Gazetari Bajrami foli edhe për sulmet online që u bëhen gazetarëve, duke thënë se “ka një armatë njerëzish që ose janë militantë, ose janë të porositur, ose e kanë si synim të degradojnë çdo gjë në këtë shoqëri, sidomos nëse diçka nuk u përshtatet fansave të tyre”.
Kjo, sipas tij, e dëmton shoqërinë.
Ndër të tjera, ai bëri një krahasim të situatës me gazetarët tash me të kaluarën.
Bajrami tha se në kohën e tij ka pasur vështirësi të shumta, por shtoi se e “kemi mundur frikën”.
“Kemi pasur kërcënime, sidomos nga pala armike, nga pala serbe. Kolegët që kanë punuar në atë kohë, kanë qenë të kërcënuar, janë burgosur, janë rrahur, por kjo është përballur. E kemi pasur një mbështetje të shoqërisë, sepse ne kemi artikuluar atë çka është aspiratë e shoqërisë në Kosovë, dhe ky ka qenë një favor yni. Normalisht se në atë kohë, dikujt nuk i ka pëlqyer mënyra se si ne kemi raportuar, se si i kemi prezantuar ngjarjet, dhe ku ta di unë, sepse edhe atëherë ka pasur kontradikta mes shoqërisë, mirëpo si synim ka qenë ajo që është shumë e shenjtë sot: liria, çlirimi, pavarësia. Dhe kur i bëjmë bashkë këto tria, edhe ndonjë që ka qenë i pakënaqur, mund ta kemi justifikuar”, potencoi gazetari shumëvjeçar, Asllan Bajrami.
Ndiqeni bisedën me të:



